NAC ALBANIA ne nje memorandum te rendesishem.16.04.2018

Sot është hedhur një hap shumë i rëndësishëm për Aviacionin Civil Shqiptar.

Në kujdesin e Drejtorit të Aviacionit Civil Shqiptar Krislen Keri, Drejtori i Shkollës së Mesme profesionale “Harry Fultz” z. Arian Kapedani, CEO i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rolf Castro- Vasquez, menaxheri i kompanisë shqiptare “Albawings” z. Gentian Kole dhe përfaqësuesi “Federatës Aeronautikes Shqiptare”  z. Renis Tershana, kanë firmosur një Memorandum Kooperimi, që i hap rrugën fillimit të kurseve profesionale në aviacion.

Palët ranë dakort që të bashkëpunojnë në ofrimin e programeve profesionale në disa sektorë të aviacionit duke filluar me:

1. Shërbim ndaj pasagjerit në Aeroport
2. Shërbime të tokës në Aerorport
3. Personel kabine në kompani ajrore
4. Teknik avionësh në kompani ajrore

Palët angazhohet që të punojnë së bashku për të pregatitur programet e studimit dhe përmbushjen e të gjithë kritereve të nevojshme teknike dhe fizike, që kurset të fillojnë në muajin Shtator 2018.

Gjatë ceremonisë së firmosjes, Drejtori i shkollës së Mesme Profesionale “Harry Fultz” z. Arian Kapedani tha se ky është një hap shumë pozitiv për të shkuar në të ardhmen drejt programeve Bachelor dhe Master në aviacion.

Nga ana e tij CEO i Aeroportit të Rinasit z. Castro- Vasquez, e vlerësoi si një ide shumë të mirë, e cila aplikohet dhe në shumë vende të tjera Evropiane, për të cilën ai do të japë mbështetje maksimale.

Ndërsa përfaqësuesi i Federatës së Aeronautikës Shqiptare z. Renis Tershana tha se aviacioni shqiptar falë edhe kërkesave të larta turistike, po shënon rritje të dukshme, dhe hapa të tilla ndihmojnë në pregatitjen e profesionistëve të rinj për të përballuar sfidat e kohës.

Z. Gentian Kole nga kompania ajrore “Albawings”, tha se industria e aviacionit sidomos ajo shqiptare, përballet me mungesë të theksuar kapacitetesh njerëzore, çfarë sjell kosto të larta për operatorët. Këtë nismë ai e konsideroi shumë të rëndësishme, dhe që do të hapë një kapitull të ri për profesionistët në aviacion.

Drejtori i “AAC” Krislen Keri, nënvizoi se institucioni që ai drejton synon të krijojë një ambient të sigurtë të aviacionit, dhe formimi i specializuar profesional është parakusht për këtë. Sipas tij, industria e aviacionit shqiptar përballet me mungesë të theksuar kapacitetesh ku mungojnë edhe elementet bazë të formimit në aviacion, parakushte këto për operime të parrezikshme dhe të sigurta. Për këtë, aeroporti dhe kompanitë ajrore i trajnojnë njerëzit posaçërisht, duke shtuar kështu kostot e operimit.

“Situata aktuale në formimin profesional në fushën e aviacionit nuk është pozitive pasi nuk ekzistojnë mundësitë e edukimit për të rinjtë që janë të apasionuar dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e aviacionit dhe krijimi i mundësive të tilla paraqet një mundësi më shumë për të rinjtë, që të bëhen pjesë e industrisë dhe për të dhënë në të ardhmen kontribute për industrinë vendase dhe jo vetëm. Patjetër që pas një shkollimi bazë dhe një eksperiencë pune në industri, të rinjtë do kërkojnë më shumë, për tu bërë pilota apo inxhinier aeronautik”, përfundoi ai.

 

Recommended For You

About the Author: alket islami